Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit është institucioni publik qendror, përgjegjës për hartimin, koordinimin, zbatimin e politikave kundër korrupsionit, si edhe verifikimin dhe hetimin administrativ të rasteve të dyshuara të korrupsionit në sektorin publik.
Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit funksionon në varësi të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, i cili ushtron edhe funksionin e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Veprimtaria e saj bazohet në kuadrin ligjor përkatës dhe shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo ka një mandat multidisiplinar, duke vepruar në fusha të politikëbërjes, parandalimit, kontrollit, edukimit dhe ndërgjegjësimit publik për çështje që lidhen me korrupsionin.